Shërbimet e navigacionit ajror

Certifikimi

Ofruesit e shërbimeve të navigacionit ajror

Të gjitha organizatat, të cilat ofrojnë shërbime të navigacionit ajror brenda Republikës së Kosovës janë subjekt i certifikimit nga AAC-ja. AAC-ja në rolin e saj si Autoritet Mbikëqyrës Kombëtar (AMK), do t’u lëshojë certifikata ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror, në përputhje me Rregulloren nr. 12/2010, pasi që të ketë verifikuar që janë në përputhje me kërkesat e përgjithshme për ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror të përcaktuara me Rregulloren nr. 7/2012.

 

Organizatat Trajnuese

Të gjitha organizatat që dëshirojnë të ofrojnë trajnime për kontrollorët e trafikut ajror, trajnime fillestare, të njësisë  dhe të vazhdueshme dhe kurse të tjera trajnimi  të aprovuara për kontroll të trafikut ajror duhet të posedojnë certifikatën si Organizatë Trajnuese, që vërteton përputhshmërinë me kërkesat e aplikueshme të Rregullores nr. 5/2012 mbi licencimin e KTA-ve.

 

Procesi i certifikimit

Procesi i certifikimit është i përbërë prej disa hapave:

  1. Njoftimi: Në këtë hap Ofruesi i Shërbimeve, i cili dëshiron të certifikohet, njofton AMK-në në lidhje me qëllimin e aplikimit për certifikim. Ky hap do të fillojë procesin e certifikimit brenda AMK-së, ku do të hartohet Plani i Certifikimit dhe do të definohet ekipi i certifikimit.
  2.  Aplikimi: Në këtë hap Ofruesi i Shërbimeve do të dërgojë në AMK aplikacionin për certifikim. Aplikacioni, përveç aplikimit formal, duhet të përfshijë edhe informatat e nevojshme në mënyrë që AMK-ja të iniciojë vlerësimin (p.sh. pyetësorin për përputhshmëri i plotësuar nga Ofruesi i Shërbimeve).
  3. Vlerësimi nga AMK-ja: AMK-ja, pasi ta ketë pranuar aplikacionin e kompletuar për certifikim, fillon me vlerësimet fillestare të përputhshmërisë. Gjatë fazës së vlerësimit, AMK-ja së pari vlerëson nëse aplikuesi është i pranueshëm, pastaj rishikon dokumentacionin e dërguar dhe kryen auditime në terren që të verifikojë përputhshmërinë me kërkesat përkatëse. AMK-ja do ta informojë aplikuesin me shkrim për rezultatet e vlerësimit.
  4. Lëshimi i certifikatës: Pasi AMK-ja të jetë bindur që aplikuesi është në përputhje me kërkesat përkatëse, atëherë e lëshon certifikatën. Kjo certifikatë do të përmbajë informatat për shërbimet e mbuluara me certifikatë dhe ndonjë kusht të aplikuar në certifikim.
  5. Veprimet korrigjuese: Nëse Ofruesi i Shërbimeve nuk është plotësisht në përputhje me kërkesat e aplikueshme, AMK-ja specifikon se ku ekziston mospërputhja (me raporte të auditimit) dhe Ofruesi i Shërbimeve do të ketë mundësinë e implementimit të veprimeve korrigjuese që të përmbushë përputhshmëritë. Kur Ofruesi i Shërbimeve të ketë implementuar veprimet korrigjuese, duhet ta informojë AMK-në dhe kjo do të vlerësojë nëse është arritur përputhshmëria.

Nëse AMK-ja konkludon që ekziston mospërputhshmëri me kërkesat dhe nëse është e dukshme që aplikuesi nuk dëshiron ose nuk është në gjendje të vazhdojë procesin e certifikimit, AMK-ja ka të drejtë ta përfundojë procesin e aplikimit.

Procesi i certifikimit i përshkruar më lart është i aplikueshëm për të gjitha kompanitë apo organizatat, vendi primar i operimit dhe regjistrimit të të cilave është në Kosovë.

Rregulloret

Publikimet Teknike

Formularët

Tarifat

Raportet

Kontaktet