Shërbimet e navigacionit ajror

Hapësira ajrore

Hapësira ajrore e Kosovës që nga shtatori i vitit 1999 është pjesë e “Hapësirës së Përbashkët Operacionale të Ballkanit – JOA” të NATO-s, nën kontrollin operacional të Qendrës së Kontrollit të Operimeve të Kombinuara Ajrore 5 (Combined Air Operations Control 5 – CAOC5), e cila në vitin 2014 është transferuar te Qendra Torrejon e Operimeve të Kombinuara Ajrore (Combined Air Operation Centre Torrejon CAOC TJ). Kjo hapësirë ajrore është hapësirë e kontrolluar, në të cilën ofrohen shërbime për trafik ajror.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës (nën nivelin e fluturimit 205) menaxhohet/kontrollohet nga Agjencioni i Shërbimeve të Navigacionit Ajror, i cili ofron shërbime të navigacionit ajror për aeroplanët civil gjatë fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës. Gjithashtu, shërbime ofrohen edhe për fluturimet e KFOR-it, EULEX-it dhe fluturimet e aviacionit të përgjithshëm në hapësirën e ulët ajrore të vendit. Hapësira e ulët ajrore është e klasifikuar si hapësirë e klasit D dhe F, në përputhje me dispozitat mbi klasifikimin e hapësirës ajrore nga Aneksi 11 i ICAO-s.

Hapësira e lartë ajrore (mbi nivelin e fluturimit 205) është e hapur për trafikun komercial që nga prilli i vitit 2014.

Në hapësirën e ulët ajrore, aktualisht janë vetëm 2 korridore   që përdoren për trafik komercial për ardhje dhe shkuarje nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) “Adem Jashari”, e këto janë XAXAN dhe SARAX, në pjesën jugore të Kosovës, në kufi me Maqedoninë.

Normalizimi i hapësirës së ulët ajrore dhe hapja e korridoreve të reja aktualisht është në bisedime në Takimet e NATOs për Normalizimin e Hapësirës Ajrore të Ballkanit.

Rregulloret

Publikimet Teknike

Formularët

Tarifat

Raportet

Kontaktet