Bashkëpunimi ndërkombëtar

Republika e Kosovës ka pranuar obligimet që UNMIK-u i ka marrë në emër të Kosovës me nënshkrimin e Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (HPEA), pjesë të së cilës janë shtetet e BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe Kosovën.

Si rezultat, Autoriteti i Aviacionit Civil, së bashku me institucionet tjera me përgjegjësi publike në aviacionin civil në Republikën e Kosovës, të cilat rrjedhin nga Ligji për Aviacion Civil, zbaton një numër të madh të legjislacionit të BE-së për sigurinë, sigurimin, menaxhimin e kontrollit ajror dhe rregullimin ekonomik të aviacionit në rendin e brendshëm ligjor dhe bëhet pjesë e tregut të përbashkët të transportit ajror të BE-së. AAC ka krijuar një Tabelë Ekuivalence Acquis Communautaire – legjislacion i Republikës së Kosovës në fushën e aviacionit i cili do të duhej të ndihmonte publikun të përcaktoj legjislacionin kombëtar që transponon legjislacionin e BE-së dhe traktatet ndërkombëtare në rendin e brendshëm juridik.

Autoriteti i Aviacionit Civil bën përpjekje që të krijojë raporte me organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare të involvuara në aviacionin civil, siç janë Bashkimi Evropian, EASA, ICAO, EUROCONTROL, ECAC, etj. AAC-ja poashtu këshillon dhe ndihmon Ministrinë e Infrastrukturës në krijimin dhe realizimin e iniciative ndërkombëtare në fushën e aviacionit.

AAC-ja poashtu koordinon asistencën teknike ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil që ofrohet nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti i donatorëve për institucionet që bëjnë rregullimin e aviacionit në Republikën e Kosovës.