Ballina | Rreth nesh

Rreth nesh

Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës (AAC) është themeluar me Ligjin nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil si agjenci e pavarur rregullatore për aviacionin civil. AAC-ja është përgjegjëse për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës. Aktivitetet në aviacionin civil në hapësirën ajrore të Kosovës zhvillohen në përputhje me dispozitat e Ligjit për Aviacionin Civil, Konventën për Aviacionin Civil Ndërkombëtar të datës 7 dhjetor 1944 dhe Marrëveshjen për Themelimin e Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit. Kosova posedon kornizën e duhur ligjore për aviacionin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve në aviacion. Vazhdimisht hartohen rregullore dhe kërkesa ligjore për të përputhur legjislacionin dhe procedurat e aviacionit të Kosovës me kërkesat ndërkombëtare, siç janë Standardet dhe Praktikat e Rekomanduara të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe veçanërisht me kuadrin ligjor të BE-së si pjesë e detyrimeve tona sipas Marrëveshjes së Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit, në të cilën Kosova është palë kontraktuese.

Janë përpiluar politika dhe materiale udhëzuese si për industrinë ashtu edhe për stafin e AAC-së për të lehtësuar kuptimin dhe përputhshmërinë me rregulloret dhe standardet. Një nga shtyllat themelore të sigurisë në aviacion është implementimi i Sistemeve për Menaxhimin e Sigurisë nga të gjithë operatorët, nga aerodromet, kompanitë ajrorë deri te ofruesit e shërbimeve të trafikut ajror dhe organizatave mirëmbajtëse. AAC është e angazhuar për të arritur nivelin më të lartë të mundur të sigurisë në Kosovë. AAC ka mandat për të zbatuar përputhshmërinë me rregulloret dhe standardet.

Si rregullator i aviacionit civil ne:

Zbatojmë legjislacionin e aviacionit civil dhe duke i dhënë efekt politikave të miratuara nga Ministria e Infrastrukturës (Ministria) ose Qeveria në fushën e aviacionit civil;

Ofrojmë këshilla dhe propozime për Ministrinë, Qeverinë dhe Kuvendin lidhur me politikat dhe legjislacionin për sektorin e aviacionit civil;

Nxjerrim rregullore zbatuese dhe urdhëresa për navigacionin ajror, në përputhje me Ligjin mbi Aviacioni Civil dhe Marrëveshjen HPEA, për të zbatuar politikat e aviacionit civil të miratuara nga Ministria dhe legjislacioni përkatës në lidhje me aviacionin civil;

Lëshojmë licenca, certifikata dhe leje në përputhje me kompetencat e përgjithshme të AACK-së;

Rregullojmë sigurinë e transportit ajror në Republikën e Kosovës;

Bëjmë rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror;

Ofrojmë këshilla për Ministrinë në lidhje me zhvillimin e politikave të propozuar të Ministrit për përdorimin e hapësirës ajrore të Kosovës që plotësojnë nevojat e përdoruesve, duke marrë parasysh sigurinë kombëtare, faktorët ekonomikë dhe mjedisor si dhe nevojën për një standard të lartë të sigurisë së aviacionit;

Mbikëqyrim dhe garantojmë zbatimin efektiv të legjislacionit të aviacionit civil, standardet, rregullat, procedurat dhe urdhrat, përveç në rastet kur Ligji mbi Aviacionin Civil ose ndonjë akt tjetër themelor juridik në mënyrë specifike dhe ekskluzive ia cakton një funksion të tillë Ministrisë ose një autoriteti tjetër publik;

Shpërndajmë informacion për publikun rreth çështjeve relevante me funksionet dhe aktivitetet e AACK-së;

Kryejmë akte, hetime dhe inspektime të tilla, dhe lëshojmë urdhra, rregulla, rregullore, dhe/ose procedura të tilla siç AACK mund t’i konsideroj arsyeshmërishtë të nevojshme që në mënyrë të drejtë dhe ligjore të (i) zbatojë dispozitat e aplikueshme të Ligjit mbi Aviacionin Civil ose (ii) shkarkoj kompetencat dhe detyrat caktuar AACK-së nga Ligji mbi Aviacionin Civil;

Kryejmë funksione të tjera që kanë të bëjnë me aviacionin civil në Kosovë caktuar AACK-së nga Ligji për Aviacionin Civil ose ndonjë akt tjetër themelor juridik.

 

Vizioni, Misioni dhe Vlerat

Vizioni ynë

Të jemi kredibilë dhe të pranuar globalisht si rregullator dhe autoritet mbikëqyrës i aviacionit civil, i radhitur para të tjerëve në rajon dhe më gjerë sa i përket sigurisë së aviacionit

Misioni ynë

Të krijojmë një ambient të aviacionit civil në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare, përmes monitorimit të vazhdueshëm, partneritetit me industrinë dhe nivelit të lartë të kompetencës profesionale të personelit.

Vlerat tona

Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm për përgjegjësitë tona ndaj organizatës, partnerëve tanë dhe njëri-tjetrit,

Ne mendojmë dhe veprojmë në harmoni për të arritur qëllimet tona,

Ne jemi fleksibil në zgjidhjen e detyrave tona dhe në bashkëpunimin dhe strukturën tonë organizative,

Ne respektojmë aftësitë e njëri-tjetrit, kompetencat dhe dallimet ndërmjet nesh dhe jemi të hapur, të përgjegjshëm dhe të besueshëm,

Ne jemi të orientuar nga procesi, rezultati dhe zgjidhja.

Bordi Mbikëqyrës

Veprimtaria e AAC-së mbikëqyret nga një Bordi Mbikëqyrës, i cili përbëhet nga pesë anëtarë. Bordi Mbikëqyrës është përgjegjës për mbikëqyrjen dhe shqyrtimin e:


(i)    aktiviteteve dhe vendimeve të AAC-së mbi çështjet administrative, ekzekutive, rregullatore dhe të licencimit, dhe
(ii)  të gjitha aspekteve të menaxhimit financiar, të ardhurave dhe shpenzimeve të AAC-së.