Operimet ajrore

Operatorët ajror që dëshirojnë të angazhohen në operimet ajrore në Republikën e Kosovës duhet të marrin dhe posedojnë Certifikatën e vlefshme të Operatorit Ajror (AOC) të lëshuar nga AAC-ja.

Për të marrë certifikatat dhe licencat e nevojshme, operatorët ajror duhet t’i përmbushin kushtet ligjore dhe operacionale të specifikuara nga legjislacioni i Kosovës, Evropian dhe i ICAO-së. AAC-ja është gjithashtu autoriteti përgjegjës për ndjekjen dhe procedimet administrative nëse nuk përmbushet legjislacioni relevant.

Sektori i Operimeve të Fluturimit mbikëqyr operatorët ajror përmes vlerësimeve të operimeve të përgjithshme të fluturimit, duke përfshirë manualet e operimit dhe sistemet e cilësisë. Të gjitha licencat për operimet e fluturimit janë subjekt i aprovimit dhe kontrollit të Sektorit. Sektori i Operimeve të Fluturimit mbikëqyr aviacionin komercial dhe privat. Kryhen vlerësime të fluturimeve teknike, si dhe vlerësime teknike të mjeteve ajrore të Kosovës dhe të huaja. Për më tepër, inspektorët e operimeve monitorojnë fluturime të veçanta dhe verifikojnë nëse ato realizohen në përputhje me rregullat në fuqi.

Certifikimi aplikohet për kompanitë komerciale të aviacionit në përputhje me dispozitat e Rregullores nr. 6/2009 (EU-OPS). Ai përfshin dhe ndërmerr funksionet që lidhen me:

Lëshimin, zgjatjen e vlefshmërisë dhe ndryshimet e Certifikatës së Operatorit Ajror dhe aprovimet speciale përkatëse (CAT II, CAT III, LVTO, MNPS, ETOPS, RNAV, RNP, Mallrat e Rrezikshme, trajnimi fillestar i sigurisë i ekuipazhit të kabinës dhe vërtetimi);

Lëshimin e aprovimeve për kryerjen e operimeve tjera komerciale, duke përfshirë edhe punët nga ajri;

Lëshimin e Certifikatës së Operatorit Ajror për operimet jokomerciale me mjet ajror kompleks të shtyrë me motor;

Bashkëpunon me Ministrinë e Infrastrukturës në procedurat për lëshimin e licencave të operimit për transportuesit komercial ajror;

Implementimin e monitorimit të vazhdueshëm të përmbushjes së kushteve të përcaktuara dhe mbikëqyrjen e sigurisë së operimeve;

Vlerësimin e sigurisë së mjeteve të huaja ajrore (SAFA).

Kjo pjesë gjithashtu përmban të gjitha informacionet relevante për operimet komerciale me helikopter dhe përfshin punët nga ajri, operimet gjatë natës, operimet jokomerciale dhe bazat përkatëse ligjore.