Ballina | Licencimi i personelit

Licencimi i personelit

Çdokush që dëshiron të bëhet pilot, qoftë për aeroplan, helikopter, mjet ajror mikro të lehtë, velore (glider) apo ballonë me ajër të nxehtë, duhet të përshkojë një trajektore trajnimi të përcaktuar qartë. Kjo përfshin ligjërata teorike, si dhe trajnimin praktik në mjetit ajror në fjalë. Trajnimi përfundon me një provim. Pas trajnimit themelor, pilotët mund të ndjekin trajnime të mëtejshme për t’u bërë instruktor, pilot privat ose pilot komercial.

AAC-ja është përgjegjëse për lëshimin, ripërtëritjen dhe revokimin e licencave për personelin e aviacionit - ekuipazhin e fluturimit dhe personelin jo-pilot.

Licencat lëshohen në bazë të programeve të kryera të trajnimit, të cilat mbahen për secilin lloj të personelit të aviacionit, pas një procesi të ekzaminimit të plotë. Pasi të jetë lëshuar, licenca duhet të ripërtërihet pas një periudhe të caktuar kohore të përcaktuar me legjislacionin përkatës. Detajet për rregullat për këtë lloj aktiviteti mund të gjenden veç e veç për secilin lloj të personelit të aviacionit duke klikuar mbi emrin e aktivitetit. Hollësi të mëtejshme se si është rregulluar kjo sferë mund të gjenden në Rregulloren nr. 7/2009 për licencat dhe autorizimet për personelin e aviacionit - pilotët e aeroplanëve dhe Rregulloren nr. 4/2010 për licencat dhe autorizimet për personelin e aviacionit - pilotët e helikopterëve.

Sektori i Licencimit të Personelit kryen procedurat në lidhje me:

Monitorimin dhe vlerësimin e legjislacionit, standardeve dhe procedurave ndërkombëtare brenda fushëveprimit të tij;

Pjesëmarrjen në harmonizimin e legjislacionit me legjislacionin dhe standardet ndërkombëtare;

Monitorimin dhe sigurimin e implementimit në Republikën e Kosovës të standardeve të detyrueshme ndërkombëtare;

Kryerjen e detyrave administrative dhe tekniko-profesionale të lidhura me licencimin dhe autorizimin e personelit të aviacionit;

Hartimin e formularëve dhe procedurave për lëshimin, ripërtëritjen dhe zgjatjen e vlefshmërisë së lejeve dhe autorizimeve të personelit të aviacionit;

Aprovimin e programeve të trajnimit dhe kontrollin e aftësive profesionale;

Emërimin e komiteteve dhe ekzaminuesve për të kryer ekzaminimet e personelit të aviacionit;

Organizimin dhe implementimin e provimeve për ekuipazhet e fluturimit dhe personelin e mirëmbajtjes së mjeteve ajrore;

Krijimin e listës së ekspertëve për të kryer ekzaminimet dhe vlefshmërinë për personelin e aviacionit;

Krijimin e listës së ekspertëve për vlerësimin mjekësor të personelit të aviacionit;

Menaxhimin dhe kontrollin e Bankës Qendrore të pyetjeve për provimet e ekuipazhit të fluturimit dhe personelit të mirëmbajtjes së mjeteve ajrore;

Mbajtjen e regjistrit të personelit të aviacionit, ekzaminuesve të autorizuar, organizatave të aprovuara për trajnimin e personelit të aviacionit dhe të personave juridik të autorizuar për të përcaktuar aftësinë shëndetësore;

Implementimin e inspektimit dhe mbikëqyrjes, dhënien dhe prishjen e autorizimeve për organizatat trajnuese të personelit të aviacionit;

Kontrollin e procedurave të aprovuara të sigurisë, programeve dhe sistemeve të cilësisë të organizatave për trajnimin e personelit të aviacionit.

Pjesa-FCL

Rregullorja e re e BE-së që rregullon FCL-në do të hyjë në fuqi në prill 2012 dhe ajo do të ndikojë në bartësit e licencave të pilotëve. Rregullorja njihet si Part-FCL.