Ballina | Regjistrimi i mjeteve ajrore

Regjistrimi i mjeteve ajrore

AAC-ja është autoriteti i vetëm në Republikën e Kosovës për regjistrimin e mjeteve ajrore civile. Departamenti i Sigurisë së Fluturimeve brenda AAC-së mban regjistrin e mjeteve ajrore civile të regjistruara në Kosovë.

Para se mjeti ajror të përdoret për të fluturuar, ai duhet të regjistrohet. Dispozitat për regjistrimin, nacionalitetin dhe shenjëzimin e mjeteve ajrore janë përcaktuar në Ligjin nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil. Rregulla më të hollësishme për regjistrimin janë të përfshira në Rregulloren nr. 11/2011 për Regjistrimin dhe Shenjëzimin e Mjeteve Ajrore.

Regjistri tregon pronarin, poseduesin dhe operatorin e mjetit ajror, si dhe detajet e mjetit ajror. Për më tepër, çdo vënie e mjetit ajror në hipotekë si dhe ripërtëritja e anulimi i saj dhe ndryshimet në radhën e përparësisë futen në regjistrin e mjeteve ajrore.

Nëse mjeti ajror nuk ka qenë më parë në regjistrin e mjeteve ajrore civile të Kosovës, pronari duhet të aplikojë për regjistrim duke përdorur formularin e ofruar nga AAC-ja.

Kërkesës për regjistrim duhet t'i bashkëngjiten dokumentet e mëposhtme:

fatura e blerjes ose kontratë tjetër e pronësisë (ose një kopje);

një vërtetim ose njoftim i heqjes nga regjistri nga autoriteti i huaj ose një vërtetim se mjeti ajror nuk është i regjistruar në vendin e prodhimit;

letra e autorizimit, nëse është e aplikueshme, ose dokumenti tjetër që tregon të drejtën e pronësisë dhe të drejtën e nënshkrimit;

nëse mjeti ajror ka një operator, posedues apo agjent (përveç pronarit), ju lutemi bashkangjitni një njoftim për operatorin e mjetit ajror.

Ndryshimi i pronësisë

Kur mjeti ajror ndryshon pronarin, pronari i ri duhet ta njoftojë AAC-në për ndryshimin e pronësisë. Ky njoftim bëhet duke përdorur të njëjtin formular si për regjistrimin e ri.

Nëse janë më shumë se një pronar, duhet të ipen detajet e plota kontaktuese për të gjithë pronarët në formular ose në një shtojcë të veçantë. Të gjithë pronarët duhet ta nënshkruajnë formularin e njoftimit ose kur është e nevojshme të paraqesin një letër autorizimi.

Njoftimit duhet t'i bashkëngjiten dokumentet e mëposhtme:

fatura e blerjes ose kontratë tjetër e pronësisë (ose një kopje);

certifikata e mëparshme e regjistrimit në origjinal;

letra e autorizimit, nëse është e aplikueshme, ose dokumenti tjetër që tregon të drejtën e pronësisë dhe të drejtën e nënshkrimit;

nëse aeroplani ka një operator poseduesi apo agjent (përveç pronarit), ju lutem bashkëngjitni një njoftim për operatorin e avionit.

Dokumentet janë subjekt i një tarife. Tarifat e shërbimit bazohen në Rregulloren nr. 7/2011 për tarifat e ngarkuara nga AAC-ja. Kohëzgjatja e procesimit është përafërsisht një javë.

Njoftimi për shitjen dhe largimi nga regjistri

Shitësi i mjetit ajror mund ta njoftojë për shitjen AAC-në duke përdorur formularin për njoftim të shitjes. Nëse shitësi dëshiron që ndërprerja e pronësisë të shënohet në regjistrin e mjeteve ajrore, njoftimit duhet t’i bashkëngjitet fatura e blerjes.

Kërkesa për largimin e mjetit ajror nga regjistri i mjeteve ajrore mund t’i bëhet AAC-së duke përdorur një formular të veçantë. Në rast se mjeti ajror është shitur në një shtet tjetër, në pjesën “Arsyeja për largimin” duhet të shënohet shteti i ri i regjistrimit. Certifikata origjinale e regjistrimit duhet t’i bashkëngjitet kërkesës.