Menaxhmenti i AAC-së

Dritan Gjonbalaj

Dritan Gjonbalaj është Drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil. Në këtë pozitë është emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në shtator të vitit 2008 dhe është riemëruar për një mandat të dytë pesëvjeçar në nëntor të vitit 2013.  Prej vitit 2000 ka ushtruar përgjegjësi të ndryshme me rëndësi në sektorin e aviacionit civil, duke përfshirë edhe atë të Zëvendësdrejtorit të Zyrës Rregullatore të Aviacionit Civil gjatë viteve 2006-2008. Z. Gjonbalaj është jurist dhe ka magjistraturë të avancuar në të drejtën e aviacionit nga Universiteti i Lajdenit, Holandë. Përveç trajnimeve të shumta profesionale, z. Gjonbalaj është diplomuar edhe në programin e IATA-s në menaxhim të aviacionit civil. Z. Gjonbalaj është anëtar i European Air Law Association. Ka marrë pjesë në hartimin e një numri të madh aktesh nënligjore për implementimin e Ligjit për Aviacionin Civil dhe krijimin e një kornize moderne rregullatore të aviacionit civil në vendin tonë. Ka udhëhequr delegacionet e Republikës së Kosovës në negociatat që kanë rezultuar me lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe të transportit ajror me disa shtete. Gjithashtu, ka përfaqësuar vendin në forume të ndryshme ndërkombëtare të aviacionit civil. Në qershor të vitit 2015 është zgjedhur udhëheqës i Iniciativës JSPA (Joint Services Provision Area Initiative), ku përveç Republikës së Kosovës, bëjnë pjesë edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Hungaria.

Xhelil Bekteshi

Xhelil Bekteshi u lind në Prishtinë, ku edhe kreu shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar. Studimet themelore dhe ato postdiplomike i ka mbaruar në Universitetin Publik të Prishtinës (tani “Hasan Prishtina”) Fakulteti Ekonomik, drejtimi Menaxhment dhe Informatikë ndërsa studimet post diplomike në fushën e Marketingut.

Angazhimin në punë e ka filluar që nga shtatori 2002, në Komunë të Prishtinës, si Koordinator për buxhet dhe financa, në Drejtorinë për Financa dhe Pronë. Gjatë kësaj periudhe është marrë edhe me procesin e integrimeve evropiane, si zyrtar për koordinim të integrimeve evropiane.

Në dhjetor të vitit 2009, caktohet ushtrues detyre i Drejtorit në Drejtorinë për Pronë. Më pas, emërohet  në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Financave dhe Pronës në Komunë të Prishtinës, të cilën e mbajti deri në fund të vitit 2013.

Në periudhë një vjeçare ka qenë këshilltar politik i ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, pastaj Sekretar i Përgjithshëm në Ministri të Infrastrukturës, ndërsa aktualisht është Zëvendësdrejtor i përgjithshëm në AAC.

Po ashtu ka qenë pjesëmarrës i disa konferencave, seminareve, vizitave studimore, takimeve me karakter vendor dhe ndërkombëtar.

Është i martuar me Sevdie Alshiqi dhe kanë dy fëmijë, Yllin dhe Artin.

Kushtrim Musa

Kushtrim Musa është Drejtor i Departamentit të Sigurisë së Fluturimeve. Në këtë pozitë është emëruar në janar të vitit 2009. Z. Musa me profesion është pilot profesional dhe instruktor i fluturimeve i diplomuar në North American Institute of Aviation në Karolinën Jugore në SHBA në vitin 1998. Në karrierën e tij të pilotit profesional ka arritur të akumuloj 2000 orë fluturimi me Fulton Flight Services Inc. me seli në Atlanta. Prej vitit 2000 ka ushtruar përgjegjësi të ndryshme në sektorin e aviacionit civil. Në vitin 2003 ka marrë diplomë në menaxhimin e aviacionit civil nga Asociacioni i Transportit Ajror Ndërkombëtar (IATA) në Montreal, Kanada. Në vitin 2005 z. Musa certifikohet si Menaxher profesional i sigurimit të aviacionit (AVSEC PM) nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) dhe Universiteti Concordia në Montreal, Kanada. Në vitin 2006 ai emërohet Shef i standardeve të fluturimit dhe sigurimit të aviacionit civil në Zyrën Rregullatore të Aviacionit Civil. Në vitin 2012 emërohet në pozitën e Sekretarit të Komisionit Kombëtar të Sigurimit të Aviacionit Civil nga Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës.

Lendita Kika

Lendita Kika-Berisha është Menaxhere e cilësisë në Autoritetin e Aviacionit Civil. Është gjithashtu e emëruar auditoree brendshme e sistemit për menaxhim të cilësisë dhe mbanë kredencialet e AAC-së për inspektore të aerodromeve. Në pozitën e Menaxherit të cilësisë është emëruar në gusht të vitit 2011. Para emërimit në këtë pozitë, znj. Kika Berisha ka qenë drejtor i Departamentit të Aerodromeve për pesë vite. Prej vitit 2005 është e punësuar në Zyrën Rregullatore të Aviacionit Civil, në Departamentin e Aerodromeve.

Përvoja paraprake shënon pesë vite në industrinë e aviacionit, duke qenë e punësuar për tri vite në kompaninë ajrore Swiss International Airlines si zëvendës menaxher i përfaqësisë në Kosovë, një vit në Austrian Airlines dhe një vit në Departamentin e Operimeve Ajrore dhe Kontrollit të Lëvizjes në Misionin e Kombevetë Bashkuara në Kosovë.

Është e magjistruar në administrim biznesi të aviacionit, në Universitetin e Danubitnë Austri dhe ka ndjekur trajnime të shumta në institute ndërkombëtare të trajnimit në aviacion, si: IATA, UKCAA, Singapore Aviation Academy, JAA TO, Swiss Aviation Academy, etj.

Burim Dinarama

Burim Dinarama është Drejtor i Departamentit të Aerodromeve. Në këtë pozitë është emëruar në shtator te vitit 2011. Z. Dinarama është punësuar në Autoritetin e Aviacionit Civil  të Kosovës që nga  themelimi i tij në vitin 2009,ndërsa më herët ka punuar në Zyrën Rregullatore të Aviacionit civil nga viti 2006. Eksperiencën e parë në fushën e aviacionit civil e filloi prej vitit 2001 kur deri nëvitin 2004 ka qenë përgjegjës për zbatimin e projekteve kryesore të infrastrukturës në Aeroportin Ndërkombëtar te Prishtinës. Para kësaj kohe ka ushtruar përgjegjësi të ndryshme në sektorin e ndërtimit, kryesisht në ndërtimin e rrugëve  dhe urave në projekte të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian  dhe Qeveria e Kosovës. Është bartës i shumë proceseve të rëndësishme në Departamentin e Aerodromeve siç është certifikimi i Aeroportit të Prishtinës,certifikimi i ofruesve të shërbimeve në tokë, certifikimi i furnizuesit me karburant, aprovimi i heliportit të parë në Kosovë etj. Është i diplomuar si inxhinier i ndërtimit në Universitetin e Prishtinës.

Besnike Ukmata

Besnike Ukmata është Drejtoreshë e Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Rregullimit Ekonomik në Autoritetin e Aviacionit Civil që nga themelimi i tij në vitin 2009.  Përgjegjësi të ngjashme ka ushtruar edhe në kuadër të Zyrës Rregullatore të Aviacionit Civil prej vitit 2005-2008.  Dy vite (2003-2005) ka punuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe ka shërbyer, mes tjerash edhe si Menaxhere e projektit për korporatizimin e aeroportit si dhe Sekretare e kompanisë. Është e magjistruar në menaxhimin e biznesit në aviacion, në Universitetin e Danubit, Austri dhe ka ndjekur një numër të madh të trajnimeve profesionale në institucione ndërkombëtare për trajnime në fushën e aviacionit. Asaj i janë deleguar nga Drejtori i Përgjithshëm përgjegjësitë e Zyrtarit për Integrime Evropiane në AAC. Znj. Ukmata është pikë fokale e Komisionit Evropian në Republikën e Kosovës lidhur me obligimet dhe zbatimin e Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit në vendin tonë.

Arianit Islami

Arianit Islami është Drejtor i Departamentit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror. Në këtë pozitë është emëruar në janar të vitit 2009.  Prej vitit 1999 ka ushtruar përgjegjësi të ndryshme në sektorin e aviacionit civil, duke përfshirë edhe atë të Shefit të shërbimeve të navigacionit ajror. Prej vitit 2009 është ligjërues i lëndës “Sistemet e Menaxhimet të Sigurisë (SMS)”, fillimisht në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe mandej edhe në Kolegjin e Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”. Z. Islami është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Ka magjistruar në  Universitetin e Aviacionit Civil të Francës në degën e komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit të bazuar në satelit. Në vitin 2003 ka marr diplomë me lëvdatë në menaxhimin e shërbimeve të navigacionit ajror dhe diplomë në menaxhimin e aviacionit civil nga Instituti i Aviacionit për Trajnim dhe Zhvillim (IATA) me qendra në Montreal, Gjenevë dhe Singapor. Poashtu është i certifikuar si auditor i sigurisë nga Instituti i EUROCONTROL-it për Shërbime të Navigacionit Ajror si dhe ka përfunduar me sukses të gjitha trajnimet e kërkuara për kryerjen e punëve për të cilat është përgjegjës. Nga viti 2009 është pjesë e ekipit auditues për implementimin e sistemeve të menaxhimit të sigurisë dhe certifikimin e ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror në Shqipëri dhe më vonë edhe në Maqedoni. Është pjesë e ekipit hulumtues për aplikime në menaxhimin e trafikut ajror, në laboratorin MAIAA, pranë Universitetit të Aviacionit Civil të Francës.

Hysa Matoshi

Hysa Matoshi është Drejtoreshë e Departamentit të Administratës dhe Burimeve Njerëzore në Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës. Në këtë pozitë është emëruar në qershor të vitit 2017.

Studimet Universitare i përfundoi në Kolegjin “Fama” në Prishtinë në Fakultetin Juridik drejtimi Kriminalistikë në vitin 2009 dhe mori titullin Bachelor i Kriminalistikës.

Studimet pasuniversitare Master i kreu në Kolegjin Universitar “Fama” në Prishtinë në Fakultetin Juridik drejtimi Juridiko-Penal në vitin 2013.

Në vitin 2016 përfundoi provimin e Jurisprudencës.

Nga viti 2002 deri në vitin 2017 punoi në Policinë e Kosovës, fillimisht si zyrtar policor, pastaj në vitin 2004 u gradua në gradën Rreshter,  në vitin 2006 u gradua me gradën Toger, dhe në vitin 2013 u gradua në gradën Kapiten. Gjatë kësaj periudhe ka mbajt pozita të ndryshme në kudër të Policisë së Kosovës, pozita e fundit ka qen Shef i Sektorit për Zhvillimin e Trajnimeve.

Gjatë kësaj periudhe të punës në Policinë e Kosovës ka përfunduar një numër të konsiderueshëm të kurseve dhe trajnimeve, duke filluar nga ato bazike, të avancuara e deri te ato më të specializuara dhe menaxheriale.

Po ashtu nga Policia e Kosovës është shpërblyer me Mirënjohje për punë individuale, Mirënjohje për punë grupore, Medalje Policore për Lavdim, Medalje për shërbim të Besnikërisë, gjithashtu nga Kolegji Universitar Fama është shpërblyer me Mirënjohje për rezultat të dalluar gjatë studimeve.